Pep Guardiola është i vendosur të largohet nga Manchester City pas dy vitesh kur i skadon kontrata.
Trajneri spanjoll i cili kompletoi së fundmi tripletën me Man Cityn, ka vendosur që të largohet në verën e vitit 2025 dhe të përfundojë kontratën e tij pas nëntë vjetësh, raporton The Guardian, përcjell Sinjali Sport.
Guardiola nënshkroi një marrëveshje të re në nëntor, një vendim që kishte qenë në ekuilibër dhe që rrethi i tij i ngushtë nuk ishte i sigurt se do të ndodhte. Kur katalanasi mbërriti te City në verën e vitit 2016, kishte një pritshmëri të madhe që ai të mos e zgjaste qëndrimin e tij përtej mandatit tre-vjeçar që ra dakord atëherë.
Përpara Cityt, Guardiola drejtoi Barcelonën dhe Bayern Munich dhe mendohej se pas punës në Angli ai do të dëshironte të drejtonte një klub në Itali për të arritur një ambicie për të menaxhuar në katër kompeticionet kryesore vendase të Evropës.
Por kuptohet që Guardiola ka ndryshuar mendim. Një opsion mund të jetë trajneri i një ekipi ndërkombëtar.
Në 7 sezonet e tij si trajner i Man Cityt, spanjolli ka fituar plot 14 tituj, ndërkohë që në total në karrierën e tij menaxheriale ka fituar gjithsej 35.