image Lajçak tregon si shkuan takimet me Kurtin e Vuçiqin

Politikë

Lajçak tregon si shkuan takimet me Kurtin e Vuçiqin

news image

Për takimet e sotme në Prishtinë e Beograd, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar një njoftim të shkurtër edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak, së bashku me këshilltarët e caktuar nga Presidenti francez, Emanuel Macron dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kanë qëndruar së pari në Prishtinë, për të udhëtuar drejt Beogradit në orët e pasdites.

Në njoftimin e tij, Lajçak nuk ka dhënë shumë informacione, por ka thënë se takimet janë karakterizuar nga diskutime të thella për të gjetur opsione drejt progresit në dialog.

“Sot, së bashku me këshilltarët e lartë të presidentit francez dhe kanelarit gjerman, kam zhvilluar diskutime të thella me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të eksplokuar opsionet për progres në dialog”, ka shkruar Lajcak.

Ai ka thënë se ky proces i nisur, do të vazhdojë ditëve të ardhshme.

Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës pas takimit, ka njoftuar se Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij se nga dialogu duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve me njohjen reciproke në qendër.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Ai falënderoi z. Lajçak, si dhe këshilltarët z.Plötner dhe z.Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e kryeministrisë.

Ndërsa, presidenti serb, ka dalë me një qëndrim të ashpër dhe me mesazhe populiste pas takimit, duke thënë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Folëm për të ardhmen e Serbisë… dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës. Aktualisht jam duke biseduar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët nga Franca dhe Gjermania, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, ku shpreha gatishmërinë e përhershme për zgjidhje përmes kompromisit, në pajtim me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën e OKB-së 1244. Nuk ka dorëzim. Rrofsh Serbi”, ka shkruar Vuçiq. 

/GazetaSinjali/