Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Artis Pabriks ka njoftuar se shteti baltik do të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak pas tensionit gjithnjë e në rritje me Rusinë fqinje në mes të luftës së Moskës në Ukrainë, sipas mediave të huaja.
“Sistemi aktual ushtarak i Letonisë ka arritur kufirin e tij. Ndërkohë, ne nuk kemi asnjë arsye të mendojmë se Rusia do të ndryshojë sjelljen e saj”, u tha Pabriks gazetarëve.
Letonia e kishte hequr shërbimin e detyrueshëm disa vite pasi u bashkua me aleancën e mbrojtjes së NATO-s. Vendi me më pak se dy milionë banorë, i cili kufizohet me Bjellorusinë dhe Rusinë, aktualisht ka vetëm 7,500 ushtarë aktivë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare, të mbështetur nga 1,500 trupa të NATO-s.
Pabriks tha se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zbatohet për burrat dhe do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, me disa opsione të disponueshme për përmbushjen e kërkesës.