Pak më parë, nga Policia në Gjilan njoftuan se në orët e para të mëngjesit të sotëm është kryer kontroll në një lokal në Viti, nën dyshimin se është organizuar bixhoz i jashtëligjshëm.
Pas kontrollimit të lokalit, policia ka arrestuar një person, identitetin e të cilit e ka mësuar Sinjali dhe iu sjell detajet tjera.
Afrim Azemi u arrestua rreth orës 03:00 të së shtunës, pasi dyshohet për veprën penale “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm”.
Atij i janë vënë prangat në lokalin e tij, ku u gjet duke luajtur bixhoz me shtatë shokë të tij.
Siç mëson Sinjali, Azemit i janë sekuestruar 955 euro, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë lojës së bixhozit.
Gjatë kontrollit të lokalit janë gjetur edhe 1291 copë të çipave, 4 palë letra bixhozi dhe një fletore me shënime.
Zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani i tha Sinjalit se 50-vjeçari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.