Gazeta Sinjali këto ditë ka raportuar për dy raste të mashtrimit që kanë ndodhur në Çagllavicë të Prishtinës, ku një person i cili është pronar i një autosalloni, ka blerë dy vetura nga dy persona të ndryshëm, mirëpo nuk ka paguar paratë që obligohej. I dyshuari pas denoncimit është arritur që të arrestohet dhe ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 26-vjeçarin, Edison Tahiraj, i cili është pronar i kompanisë ED Group Investment L.L.C.
Tahiraj fillimisht u denoncua nga një 45-vjeçar, i cili ra pre e mashtrimit duke ia shitur të dyshuari katër vetura për 82 mijë euro. E këto para viktima nuk i mori asnjëherë, duke u detyruar që rastin ta denoncojë në organet e rendit.
Më pas denoncimi i dytë për Tahirajn erdhi disa ditë më vonë, ku një qytetar ka deklaruar se pasi ka shitur veturën e tij të tipit Range Rover për 15 mijë euro, nuk ka marrë paratë për të cilat ishin marrë vesh gjatë shitblerjes.
Pas veprimeve hetimore të Policisë, 26-vjeçari gjatë ditës së djeshme ka rënë në prangat e Policisë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.