Ajet Keqolli është zyrtari policor që u prangos sot në Prishtinë bashkë me qytetarin N. SH., nën dyshimin për veprën penale “Detyrim”, merr vesh Gazeta Sinjali nga burime në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar më herët se polici, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative dhe i dyshuari tjetër u arrestuan rreth orës 11:00 në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Haraçi” i cili nisi pas pranimit të një informate nga Ispektorati Policor i Kosovës se të dyshuarit kishin kërkuar haraç.
Gazeta Sinjali ka marr vesh nga burimet në Prokurori se polici Ajet Keqolli dhe qytetari N. SH dyshohet se kishin kërkuar 30 deri në 35 mijë euro nga viktima R. A (emër i njohur për redaksinë) për t’ia nxjerrë banesën që e kishte blerë nga një suharekas, por që nuk kishte arritur ta posedonte e shfrytëzonte asnjëherë.
Dy të arrestuarit janë zënë në flagrancë ndërsa me vendim të Prokurorit, atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ka njoftuar gjatë ditës Inspektorati Policor i Kosovës.
Gazeta Sinjali merr vesh se qytetari i arrestuar N.SH, është i afërm i një zyrtari në Drejtorinë e lartë të Policisë së Kosovës, (të dy emra të njohur për redaksinë).
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/