image Ky është i riu që ndalte qytetarët në autostradë me alarm të Policisë

Siguri

Ky është i riu që ndalte qytetarët në autostradë me alarm të Policisë

news image

Policia e Kosovës sot ka arritur ta arrestojë personin që mbrëmë i ndalte qytetarët në autostradë me alarm të Policisë dhe u paraqit si polic. Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se i dyshuari që u arrestua është Albion Shabani.

I njëjti është dërguar në mbajtje dhe dyshohet se ka kryer veprën “Prezantim i rremë si person zyrtar“.

Në media u publikuan pamje ku shihet se Shabani ndalte qytetarë dhe paraqitej si polic civil. Madje ai shihet teksa ndalë një qytetar me targa të Serbisë dhe i thotë “ku po shkon me kto tabela, hjeki se polic civil jom“.

Për këtë rast edhe Policia ka dalë me komunikatë, ku thuhet se i dyshuari është dërguar në stacionin policor në Obiliq dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve të bëra publike përmes rrjeteve sociale dhe disa portaleve, ku në një video-je shihet një automjet me një person të dyshuar duke  përdorur aplikacione të ndryshme në telefon, me drita kinse vezulluese dhe duke  i ndaluar veturat civile  në autostradë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore. Si rezultat i veprimeve të shpejta, personi i cili ka postuar videon në fjalë është identifikuar dhe i njëjti është sjellë në stacionin policor Obiliq dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi që ai gjatë asaj ngjarje në videon e publikuar, ishte prezantuar si zyrtar policor“, thuhet në komunikatë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/