Sot në rrugën Prishtinë – Podujevë një person dyshohet se ka tentuar të vrasë dikë duke shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas policisë, i dyshuari ka qenë në një veturë të tipit “Passat”, nga ku dyshohet se ka shtënë në drejtim të një veture të tipit “Golf”, në të cilën ndodheshin katër persona.
Policia njoftoi se i dyshuari për këtë tentim vrasje është identifikuar dhe është duke u kërkuar nga policia.
Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari për këtë rast është Arlind Tullari, 22-vjeçari nga fshati Tërrnavë e Podujevës, i cili ndodhet në arrati.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se sot policia ka bastisur shtëpinë e tij, por ai nuk është gjetur aty.
Këto burime bëjnë të ditur se në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një armë zjarri pa leje.
Por, kjo nuk është hera e parë që Tullari përfshihet në raste të tilla.
Gazeta Sinjali pati raportuar më 12 shtator të vitit të kaluar se Tullari, atëkohë 21-vjeçar, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, si i dyshuari kryesor për një tentim vrasje që kishte ndodhur më 22 gusht të vitit 2019 në Prishtinë.
Për këtë tentim vrasje, dyshoheshin edhe Arjon Tullari (21 vjeç) dhe Veron Tullari (18).
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/