Një 32-vjeçar nga Prishtina ka arritur ta mashtrojë një shtetase finlandeze duke ia marrë 190 mijë euro nga viti 2019 deri më 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
I njëjti është kapur nga Policia pas mesnatës së 27 qershorit dhe ndaj tij, Prokuroria Speciale e Kosovës po kërkon masën e paraburgimit.
Kush është ky person dhe si e mashtroi shtetasen finlandeze?
Sipas burimeve të Sinjalit, Genc Zabergja (32) nga Prishtina, që nga viti 2019 deri më 26 qershor të këtij viti, përmes rrjetit social “Whatsapp”, me dashje dhe me dijeni të qëllimit të veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore e ka mashtruar finlandezen A. L., (emër i njohur për redaksinë), e cila jeton në Bayern të Gjermanisë.
I dyshuari Zabergja e ka mashtruar viktimën, duke kërkuar prej saj që në një faqe të internetit (emër i njohur) të bëjë pagesa, me premtimin që do të rritet vlera e asaj çfarë do të paguajë ajo.
Shtetasja finlandeze është mashtruar nga kosovari dhe duke vepruar në dëm të pasurisë së saj dhe ka paguar 190 mijë euro, nga viti 2019 deri në nëntor të vitit 2020, në llogari të ndryshme, sipas udhëzimeve të grupit të dyshuar kriminal, shkruan Gazeta Sinjali.
Por e gjitha nuk mbaroi me kaq, pasi që më 23 qershor, para 5 ditësh, asaj iu kërkua se nëse dëshuron t’i tërheq paratë e saj, për të cilat gjoja se do t’i ndihmonte i dyshuari Zabergja, ajo do të duhej të vinte në Kosovë.
Megjithatë i dyshuari nuk kërkoi që ajo të vinte vetëm t’i “tërhiqte paratë”, pasi që viktimës iu kërkua që e njëjta të marrë para me vete, 10 mijë euro të gatshme, ndërsa 5 mijë të tjera t’i tërhiqte kur do të arrinte në Kosovë.
Madje, i dyshuari ia ka siguruar edhe biletën e aeroplanit e rezervimin e dhomës në njërin nga hotelet në Prishtnë.
Mashtrimi i tij mori fund më 27 qershor, pas mesnate, kur u kap nga Policia dhe u dërgua në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.