Policia e Kosovës pas më shumë se një muaji ka arritur të arrestojë të dyshuarin e dytë për plagosjen e çiftit në Bardhosh të Prishtinës, më 1 dhjetor 2021. I dyshuari u prangos më 17 janar dhe u dërgua në mbajtje. Sinjali ka siguruar kallëzimin penal të këtij rasti dhe ju sjellë detaje.
I dyshuari i dytë që u arrestua për vrasje në tentativë është Egzon Daku, 29-vjeçar nga komuna e Gjilanit.
Daku bashkë me një person tjetër, dyshohen se kanë plagosur një burrë dhe një grua më 1 dhjetor 2021, derisa ishin me veturë, në lëvizje.
Si pasojë e të shtënave me armë, burri dhe gruaja janë plagosur. Burri ka marrë tri plagë në këmbën e djathtë, mbi gju, një plagë hyrëse në pjesën e majtë të abdomenit. Ndërsa gruaja kishte marrë një plagë në pjesën e epërme të këmbës së majtë.
29-vjeçari dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të kërkojë nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.