image Ky është i burgosuri që rrahu gardianin në Burgun e Sigurisë së Lartë, u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e dhëndrit në Gjakovë
[wp-story id="814678"]

Drejtësi

Ky është i burgosuri që rrahu gardianin në Burgun e Sigurisë së Lartë, u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e dhëndrit në Gjakovë

news image

Një oficer korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë është bërë për spital dje pasi u rrah nga një i burgosur. Ndaj të burgosurit Policia ka hapur rast, derisa viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Sinjali ka mësuar identitetin e të burgosurit që dyshohet për sulmin ndaj gardianit.

Sipas burimeve të Sinjalit i burgosuri që rrahu gardianin në Burgun e Sigurisë së Lartë është Col Imeraj, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e dhëndrit në vitin 2020 në Gjakovë.

Ai dyshohet se dje, rreth orës 15:00, ka sulmuar fizikisht gardianin e burgut, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë dhe në kokë, për çka viktima ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, si dhe nga Policia.

Por kush është Col Imeraj, që e bëri për spital oficerin korrektues?

Col Imeraj nga fshati Geghysen i Tropojës, më 25 nëntor 2021, ishte dënuar me 22 vjet burgim për vrasje të rëndë, për tentim vrasje me 4 vjet burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim. Më pas, ndaj të njëjtit i është shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 25 vitesh.

Ai u dënua me 25 vjet burgim, pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e tij, të cilit Gjykata Themelore e Gjakovës ia shqiptoi dënimin prej 27 vitesh burgim, në maj të vitit 2021.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, ishte dënuar nga Themelorja se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në korrik të vitit 2020.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë dinake dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin 60 vjeçar.

I akuzuari me thikë dhe me një çekan e godet me thikë fillimisht kushërirën e tij, D.M, pastaj e godet me thikë edhe të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së. Në paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të nenit 173 flitet për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë mizore dhe parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin N.M dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës D.M, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim jo më pak se 5 vite, dhe se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.

Imeraj akuzohet edhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës D.M. të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. E që për këtë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

/GazetaSinjali/