image Ky është i arrestuari që me dokument të falsifikuar fitoi tenderin afër 1 milionësh për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale

Kosovë

Ky është i arrestuari që me dokument të falsifikuar fitoi tenderin afër 1 milionësh për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale

news image

Sot Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar drejtorin e një kompanie në Suharekë, i cili dyshohet për mashtrim, falsifikim, dhe keqpërdorim në prokurim publik. Gazeta Sinjali merr vesh se i arrestuari është Tahir Sopa, i cili duke përdorur dokument të falsifikuar, ka arritur të fitojë tender në vlerë prej 811 mijë e 372 e 13 euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale në Kosovë.

Zyra e Prokurimit e Këshillit Prokurorial të Kosovës e pati përzgjedhur konsorciumin “NBT –ING” & “BAJRAMAJ” si fitues të këtij tenderi, që u nënshkrua më 28 prill të këtij viti.

“NBT-ING” është biznes i Sopës, i cili bashkë me biznesin “NPN BAJRAMAJ” e fituan këtë tender, vlera e parashikuar e të cilit ishte 999 mijë e 800 euro.

Në njoftimin e sotëm të Policisë së Kosovës thuhet se i dyshuari Tahir Sopa ka falsifikuar dokumentin “Letër përkrahje” të datës 12.12.2019 të bankës me të cilin gjoja se banka i ka siguruar përkrahje kompanisë së tij në vlerë prej 200 mijë euro.

Sipas Policisë, Tahir Sopa përveç që dyshohet për veprën penale “falsifikim”, atij i ngarkohen edhe dy vepra tjera penale: “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “mashtrim”.

Tahir Sopa, pas arrestimit është interevistuar dhe me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

/GazetaSinjali/