Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një aksion të Policisë së Kosovës që është realizuar të mërkurën dhe synim kishte luftimin e bixhozit në Prizren. Ky aksion rezultoi me një 29-vjeçar të arrestuar.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se i dyshuari që u arrestua të mërkurën është Ozgum Pishmish, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e rajonit të Prizrenit ka njoftuar se nga ky aksion janë sekuestruar 9 aparate të lojërave të fatit.
Si ndodhi arrestimi i Pishmishit?
Të mërkurën rreth orës 22:30, Policia në Prizren kishte pranuar informacione për një aktivitet të tillë në rrugën “Xhem Gostivari”.
Pasi ka arritur në lokal, Policia kishte hasur në dy persona, në Pishmishin i cili kishte deklaruar se është punëtor në lokal dhe në një person tjetër që kishte qenë duke luajtur bixhoz.
Policia ka njoftuar se asnjëri nga kompjuterët e sekuestruar nuk kishin numër serikë dhe për këtë është njoftuar Dogana e Kosovës.
Policia ka njoftuar se janë duke vazhduar hetimet në lidhje me këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/