image Kazinotë vazhdojnë ta sfidojnë shtetin në mes të Prizrenit - Detaje nga aksioni i fundit

Siguri

Kazinotë vazhdojnë ta sfidojnë shtetin në mes të Prizrenit – Detaje nga aksioni i fundit

news image

Zhvillimi i lojërave të fatit në Kosovë ka kohë që është ndaluar me ligj, mirëpo shumë kazino kanë vendosur që mos ta përfillin këtë. Madje lokalet që organizojnë këso lojëra vetëm po lulëzojnë. Në lidhje me këtë veprimtari të jashtëligjshme, shpesh ka edhe të arrestuar, shkruan Gazeta Sinjali.

E kundër kësaj dukurie të paligjshme, Policia e ka ndërmarrë një aksion të mërkurën në rrugën “Xhem Gostivari” në Prizren, ku u arrestua një 29-vjeçar (O.P.).

Posa kanë arritur në vendngjarje, përveç të dyshuarit, Policia ka hasur edhe në një person tjetër, i cili ka qenë duke luajtur bixhoz.

Siç njofton Policia, në këtë lokal janë sekuestruar 9 aparate të lojërave të fatit, 8 prej tyre funksional, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjithashtu, Policia ka thënë se asnjëri nga kompjuterët nuk kishte numër serik dhe se Dogana është njoftuar për verifikimin e tyre.

Mirëpo kazinotë janë të shpeshta në këtë qytet. Gazeta Sinjali në dhjetor të vitit të kaluar kishte raportuar për një kazino e cila organizonte lojëra të fatit. Madje kazinoja e quajtur “Royal Kasino” aktivitetin e saj e promovonte edhe në rrjetin social Instagram pa asnjë lloj frike.

Një sinjalizues i kishte thënë Sinjalit se i kishte shkruar “Royal Kasinos” me një llogari fals, por ata i kishin thënë se duhet të ketë ‘profil original’ dhe nuk i kishin dhënë asnjë informacion.

Në disa video të publikuara, shihej që “Royal Kasino” kishte mjaft klientë që e frekuentonin, madje shumica prej tyre luanin në aparate.

Më poshtë keni videon që kjo kazino e kishte publikuar në faqen e saj, të cilën e kishte mbyllur pastaj.

/GazetaSinjali/