image Kuvendi depoziton në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Metës

Shqipëri

Kuvendi depoziton në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Metës

news image

Vetëm 5 ditë pas votimit në parlament për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Kuvendi ka nxituar që këtë çështje ta dërgojë qysh sot në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar tanimë edhe aprovimin nga instanca më e lartë, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjykata Kushtetuese ka 3 muaj afat për të vendosur nëse e shqyrton ose jo çështjen, ndërsa nuk ka asnjë limit për kohën se kur duhet të mbyllë gjykimin dhe të shprehet me vendim.

Ajo do të vendosë përfundimisht nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të rënda të Kushtetutës nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.

Në seancën parlamentare të 9 qershorit, Kuvendi miratoi me 104 voto pro shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës, Ilir Meta. 7 deputetë votuan kundër, ndërsa 3 ligjvënës abstenuan, ndërsa në votim morën pjesë gjithsej 114 deputetë, ndërsa 7 të tjerë nuk ishin të pranishëm.

Kujtojmë se Meta është presidenti i parë i Republikës së Shqipërisë që shkarkohet nga detyra nga Kuvendi në historinë e shtetit shqiptar.

Kreu i shtetit e ka cilësuar si antikushtetues vendimin e parlamentit dhe se do të vazhdojë të jetë President deri më 22 korrik të vitit 2022, atëherë kur parashihet t’i mbarojë mandati. /Gazeta Sinjali/