20-vjeçari nga Malisheva, Erion Morina është vrarë e më pas është hedhur në lum para disa ditësh nga kushëriri i tij, Musli Morina në Itali.
Krimi makabër, siç bëhet e ditur ka ndodhur për 50 euro, përcjell Gazeta Sinjali.
Natën ndërmjet 16 dhe 17 janarit, dy të rinjtë, familjarë, dolën në një kafene në Naviglio të Italisë, duke pirë deri në dehje pak para krimit.
Pas një mosmarrëveshje e cila sipas mediave italiane ka ndodhur për shkak të parave, Erion Morina mbeti i vrarë, pikërisht nga familjari i tij, Musli Morina.
Ky i fundit, në stacionin policor ka pranuar se e ka vrarë kushëririn e tij, duke treguar edhe se si ka shkuar gjithë ngjarja.
Sipas tij, Erioni i kishte borxh rreth 50-100 euro dhe kjo u bë shkas për mosmarrëveshjen e tyre. Musliu ka treguar se që të dy ishin përdorues të rregullt të alkoolit dhe drogës.
Sapo dolën jashtë, Musliu e ka goditur Erionin dy herë në kokë dhe një herë në krah, me gotën që e ka marrë brenda kafenesë ku qëndruan po atë natë.
Ndërkaq, hetuesia në anën tjetër, ka konstatuar se viktima nuk ka vdekur për shkak të plagëve të marra nga përleshja, por pasi ka rënë në një lum aty afër.
Viktima pritet të varroset këtyre ditëve, ndërsa ende nuk dihet se a do të sjellet trupi i pajetë këtu në Kosovë. Ndërsa, sa i përket Musliut, ai po qëndron ende në stacionin policor ku pritet të hetohet tutje. /Gazeta Sinjali/