Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 12 zyrtarëve policorë dhe një qytetari për vepra të ndryshme penale. Tetë nga zyrtarët policorë, ndaj të cilëve është ngritur aktakuza sot, janë arrestuar në mars të vitit të kaluar, gjatë një aksioni të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht për këtë aksion që u zhvillua në orët e mëngjesit të 5 marsit të vitit 2021, në Stacionin Policor – Jugu, ku fillimisht u arrestuan gjashtë zyrtarë policorë, për të vazhduar më pas edhe në lagjen “Taslixhe” dhe në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku ishin bastisur shtëpitë e dy zyrtarëve policorë, të cilët u prangosën po ashtu.
Tetë zyrtarët policorë që ranë në prangat e IPK-së atë ditë dhe ndaj të cilëve është ngritur aktakuza janë: Marigona Gashi, Donikë Mjaku, Rexhep Selimi, Vedat Fetahu, Valon Bajçinca, Milos Kovaçeviq, Bedri Januzi dhe Visar Shala.
Si u arrestuan policët dhe veprat për të cilat akuzohen
Bedri Januzi
Përveç stacionit policor Jugu, IPK kishte zhvilluar aksion edhe në lagjen “Taslixhe” të Prishtinës, më saktësisht në shtëpinë e zyrtarit policor, Bedri Januzi. Ai u prangos nga Inspektorati Policor pasi dyshohej për disa vepra penale.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria, Bedri Januzi ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, të parapara sipas KPRK-së.
Visar Shala
Zyrtari tjetër policor që u arrestua në aksionin e 5 marsit 2021 ishte Visar Shala. Përveç arrestimit, IPK kreu bastisje edhe në shtëpinë e Shalës, në fshatin Bardhosh të Prishtinës.
Prokuroria po e akuzon zyrtarin policor Visar Shala se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lëndimi i lehtë trupor”, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, të parapara sipas KPRK-së.
Ndërsa zyrtarët policorë Marigona Gashi, Donikë Mjaku dhe Vedat Fetahu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, sipas KPRK-së.
Edhe policët Rexhep Selimi dhe Milos Kovaçeviq Prokuroria po i akuzon se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, si dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, të parapara sipas KPRK-së.
Kurse polici Valon Bajçinca, sipas aktakuzës ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, të parapara sipas KPRK-së.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj katër zyrtarëve policorë dhe një qytetari. Sipas aktakuzës zyrtarët policorë me inicialet F.K., J.D. dhe L.M. kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Ndërsa zyrtari policor V.Z. përveç veprës së lartcekur, e ka kryer edhe veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, të parapara sipas KPRK-së.
Në mesin e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë është edhe një qytetar me inicialet A.H.. Sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, të paraparë sipas KPRK-së.
Çka i parapriu aksionit të 5 marsit 2021?
Ky aksion u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e cila kishte ofruar asistencë teknike dhe informacion të vlefshëm për zbatimin e suksesshëm të masave hetimore të vëzhgimit, si dhe provave të nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të veprave penale për të cilat dyshohen zyrtarët e arrestuar.
Bashkëpunimi i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë ishte intensifikuar dhe për këtë ishte zhvilluar edhe një vizitë e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Samedin Mehmeti te kryeshefi i inspektoratit, Kushtrim Hodaj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/