Sot e premte më 6 shtator, është afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve të tyre për deputetë të Kuvendit të Kosovës
Partitë politike janë duke përgatitur listat me emrat e kandidatëve, të cilët synojnë të zënë ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Dje, një ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) shumica e partive politike i kanë mbledhur këshillat e përgjithshme për të diskutuar dhe përpiluar listat zgjedhore. Mirëpo, shumica e tyre nuk ka arritur që t`i finalizojë ato.
E vetmja që e ka finalizuar listën e saj është AAK-ja, porse as ajo nuk e ka dorëzuar ende në KQZ dhe nuk e ka bërë publike.
Emrat e kandidatëve për deputetë kanë thënë se do të dihen të premten (sot). Disa prej tyre kanë thënë se në listë nuk kanë kandidatë që ndiqen penalisht, e disa të tjera nuk e kanë mohuar këtë, duke thënë se ligji nuk ua ndalon kandidimin përderisa nuk ka vendim të prerë të gjykatës.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, disa nga partitë politike kanë vendosur t’i bashkojnë forcat e tyre dhe në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët.
Partitë të cilat kanë arritur marrëveshje parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, dhe koalicioni tjetër mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.
Deri më tani në KQZ vetëm dy parti politike i kanë dorëzuar listat. Ndryshe, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor, ditë e diel. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë afro 6 milionë euro./Sinjali/