Nina Angelova dje mori votat e duhura në Kuvend duke u zgjedhur ministre e Financave. Ajo vjen në këtë detyrë në vend të ish-ministrit Dragan Tevdovski, i cili u largua me rikonstruimin e Qeverisë. Angelova është një biznesmene e re në fushën e teknologjisë.
Ajo ka lindur në Shkup më 13 korrik të vitit 1988. Shkollën e mesme e ka përfunduar në gjimnazim Rade Jovçevski Korçagin në vitin 2010 ka diplomuar në universitetin “Shën Cirili e Metodi” – Fakulteti Ekonomik në Departamentin E-biznes si studentja më e mirë e gjeneratës me sukses të arritur prej 9,94. Ajo është fituese e Çmimit Maningov si studentja më e mirë në fushën e shkencave ekonomike.
Paraprakisht deputetët e pushtetit dhe opozitës në vend se të debatojnë për ministrat dhe zëvendësministrat e ri, pjesë më të madhe të kohës së seancës i përkushtuan akuzave të ndërsjella për gjendjen me ekonominë, investimet, për zgjedhjet e parakohshme, si dhe qeverisjen e së drejtës.