image Kurz: Brukseli e humb besueshmërinë nëse nuk mban premtimet ndaj Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Kurz: Brukseli e humb besueshmërinë nëse nuk mban premtimet ndaj Kosovës dhe Serbisë

news image

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, është deklaruar së fundi lidhur me takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Kurz tha se e konsideron shumë të rëndësishme që takime të tilla të zhvillohen, në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ato nuk janë të thjeshta dhe ne e dimë këtë. Progresi deri më sot ka qenë i kufizuar. Kjo është arsyeja pse takime të tilla janë të rëndësishme dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt të ketë përparime të duhura. Kjo do të ishte e mirë për qytetarët dhe për gjithë rajonin. Të gjithë duhet të kenë interes në mbajtjen e bisedimeve të tilla”, tha ai.

Kurz deklaroi se rruga për një zgjidhje mund të jetë vetëm ajo në të cilën të dy palët do t’i afrohen njëra-tjetrës.

Një zgjidhje tjetër nuk është e mundur. Unë gjithashtu bisedova për këtë me Mirosllav Lajçak, i cili është një diplomat me përvojë, si dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme. Unë i thashë atij se ishim në dispozicion nëse do t’u duhej një mbështetje. Ky rajon është shumë i rëndësishëm për ne”, tha ai në një intervistë për Tanjug.

I pyetur se sa ka fuqi Brukseli në zgjidhjen e këtij problemi, duke pasur parasysh se marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe nuk është zbatuar, Kurz tha se të gjitha pjesëmarrësit e dinë se bisedimet konstruktive, të cilat ai shpreson të çojnë në një zgjidhje përfundimtare, janë bazë për një jetë më të qetë në rajon, për një zhvillim më të mirë ekonomik dhe për integrimin evropian.

Ai shtoi se vendimet dhe premtimet nga Brukseli duhet të përmbushen, sepse sipas tij, në të kundërtën BE-ja humbet besueshmërinë dhe kjo do të ishte shumë keq.

Sebastrian Kurz ka vlerësuar se deklaratat ndaj Serbisë për bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën ishin të pajustifikuara.

Madje, Kurz ka theksuar se Serbia ka bërë përparim të rëndësishëm, i cili sipas tij, duhet të “shpërblehet” me përparim në rrugën evropiane.

Kurz deklaroi se Serbia, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe të gjithë politikanët kryesorë në këtë shtet mund të jenë të sigurt për mbështetjen e plotë të Austrisë.

Ne duam që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë evropiane. Sidomos në Serbi, zhvillimi është shumë pozitiv dhe duhet që të njihet, e duhet të çojë në proces të rrugës evropiane. Çdo gjë tjetër do të mund të çonte që Evropa dhe BE të humbnin besueshmërinë në rajon. Kjo do të ishte keq nëse marrim parasysh se ky është një rajon në të cilin shumë vende të botës kanë interesat e tyre gjeopolitike”, tha ai.

Madje, Kurz paralajmëroi se nga kjo “ka shumë rrezik”./Gazeta Sinjali/