Sikur të mos i mjaftonin krizat në nivel shtetëror, Kryeministri Albin Kurti po përballet me përçarje brenda Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po mban zgjedhjet e brendshme. Disa anëtarë ankohen se u eliminuan nga gara me orkestrim të Qendrës. Në media përmenden emrat e Besnik Bislimit dhe Dejona Mihalit, si dirixhues te zgjedhjeve. Dikush u tërhoq për të evituar përçarjet, ndërsa të tjerë thonë se eliminimi u bë, me arsyetimin për qëndrimin e tyre rreth martesave të gjinisë së njëjtë.
Vetëm Albin Kurti në krye të Lëvizjes Vetëvendosje duket opsion i pakontestueshëm në këtë parti. Zgjedhjet e para të brendshme, derisa LV-ja gëzon pushtetin më të madh ndonjëherë, po shoqërohen me pakënaqësi, akuza për kontroll nga “lart” dhe përçarje.
Në shpalljen e zgjedhjeve të sivjetme, VV-ja kishte inkurajuar anëtarët që të kandidojnë në zgjedhjet, të cilat partia ishte e sigurt se do të jenë “të drejtpërdrejta, të lira e demokratike”. Por, kjo, sipas ankesave të disa anëtarëve, mbeti vetëm një njoftim. Gara, në realitet, po shkon ndryshe.
Anëtarët që kanë dashur të garojnë për kryetar të qendrave, do t’i nënshtroheshin një kontrolli të një trupe brenda VV-së, që quhet Këshilli Zgjedhor i Përgjithshëm. Dhe pas kësaj, disa prej tyre thonë t’u ketë hasur sharra në gozhdë.
Kandidati për kryetar të degës në Prizren, Beni Kizolli, thotë se mori përkrahjen e nevojshme nga dega për kandidaturë, por u kontaktua nga Këshilli Zgjedhor i Përgjithshëm i VV-së, për t’u pyetur rreth qëndrimit të tij për Kodin Civil, i cili pritet të votohet në Kuvend – specifikisht për nenin që flet për hapjen e rrugës për bashkësitë civile të partnerëve të gjinisë së njëjtë.
“Të hënën, pranova një telefonatë, prej një zyrtari të KZP,-së, i cili më njoftoi për rrjedhat dhe më kërkoi sqarime për qëndrimin tim lidhur me Kodin Civil, përkatësisht nenin për komunitetin në fjalë dhe kjo ishte përgjigja ime, lidhur me pjesën e Kodit Civil”, thotë ai. Kizolli deklaron se po ta votonte VV-ja Kodin Civil në Kuvend, ai nuk do të distancohej nga partia.
Ata që janë deputetë e dihet publikisht që janë kundër martesave të gjinisë së njëjtë, kanë qenë konsistentë në qëndrimet e tyre homofobe. Dhe, këto i dinte Kurti, kur ata u pranuan në parti, për të garuar në zgjedhje. Nuk dihet nëse me një pyetje të tillë janë përballur deputetët që kanë votuar kundër draft-Kodit, e të cilët synojnë pozita brenda strukturave të partisë.
Në media, raportohet se dy bashkëpunëtorët e afërt të Kurtit, Besnik Bislimi, dhe Dejona Mihali, e cila zyrtarisht mban pozitën Koordinatore për Komitete, po ndikojnë direkt në zgjedhje.
Gazeta Express merr vesh se në degën në Mitrovicë është eliminuar të paktën një kandidaturë, për t’ia shtruar rrugën deputetit Armend Muja në garën për kryetar të kësaj Qendre.
Anëtari i LV-së, Shkelzen Bislimi, që ka shpallur kandidimin e tij për kryetar të Qendrës së LV-së në Lipjan, ka dhënë dje dorëheqje nga partia. Ai akuzon “dikë të fuqishëm” nga Sekretariati i Përgjithshëm i LV-së në Prishtinë, që po përkrah dikë në degën e partisë në Lipjan.
“Aktiviteti i këtij grupi [grupit kundërshtues] përherë e ka pasur një mbështetje nga dikush i fuqishëm në Sekretariatin e Përgjithshëm në Prishtinë”.
Përveç kësaj, dikur me rreshtash, ai thotë se partia nuk i lejon “bindjet fetare” dhe është “organizatë islamofobësh”.
Pos Bislimit, që ishte pjesë e grupit punues, degës së VV-së në Lipjan iu larguan edhe tre zyrtarë të tjerë, prej tyre dy asamblistë.
Përveç atyre që kanë lajmëruar se u eliminuan nga gara, pati edhe prej atyre që u tërhiqen “në këshillim” për t’i evituar përçarjet brenda partisë. Kështu ka deklaruar Arbër Vokrri, i cili tërhoqi kandidaturën, disa ditë pas njoftoi se po garonte për kryetar të Qendrës së VV-së në Prishtinë.
“Në këshillim me aktivistët u pajtuam se jemi në një kohë kur duhet evituar mundësia e përçarjeve dhe e polarizimeve si dhe kur duhet shmangur çfarëdo fushate eventuale negative e cila s’ka ndodhur më herët e s’bën të ndodhë as tani”.
Siç ka njoftuar VV-ja, afati për kandidim për nivelin e dytë dhe tretë organizativ është mbyllur me 23 gusht, ndërkohë sipas kalendarit zgjedhor fushata për nivelin e tretë organizativ është hapur më 1 shtator 2022.
Fushata e brendshme zgjedhore për nivelin e tretë, që përfshin zgjedhjen e krytarit të partisë, sipas njoftimit të LVV-së, përfundon me 23 shtator 2022.