Në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe Sekretarit Parlamentar Shtetëror në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Thomas Silberhorn, u vlerësuan marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Siç bëhet e ditur nga kumtesa qeveritare, kryeministri Kurti e falënderoi Siberhorn për mbështetjen në procesin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e përkrahjes gjermane në qëllimin për t’u bërë anëtar në forumin rajonal A5 dhe në programin e Partneritetit për paqen.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale e moderne dhe ofruese e sigurisë, si edhe për misionin e saj jashtë vendit në bashkëpunim me SHBA-në.
Në takim u bisedua edhe për mbarëvajtjen e operacionit të evakuimit të qytetarëve afganë të udhëhequr nga NATO.
Lidhur me gjendjen në pikat kufitare 1 dhe 31, Bërnjak dhe Jarinje, kryeministri tha se vendimi për targat nuk ka qenë i drejtuar kundër qytetarëve serb të Kosovës e as kundër ndokujt tjetër.
Kryeministri ritheksoi punën korrekte dhe pa asnjë incident të Policisë së Republikës së Kosovës, përgjatë këtyre ditëve të angazhimit për sigurimin e mbarëvajtjes së zbatimit të vendimit për targat./GazetaSinjali/