Seanca e nesërme konstituive e Kuvendit të Kosovës do t’i gjejë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës pa koalicion qeverisës.
Dështimin e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje e ka kumtuar kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka treguar edhe ofertën e fundit të partisë së tij, e cila është refuzuar nga LDK-ja, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një videomesazhi në Facebook, Kurti ka thënë se oferta përmbante tri pika, prej ku më e rëndësishmja ishte ajo e presidentit, për nominimin e të cilit nga LDK, ai kishte kërkuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: MPB, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për President, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosje!”, ka deklaruar Kurti.
Lideri i LVV-së ka folur edhe për kërkesën e LDK-së për ndarjen e MKRS-së.
“Sipas kërkesës së LDK, MKRS ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq, Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, ka thënë ai.
Në këtë ofertë, Kurti tha se përfshihej marrëveshja që LVV-së, pasi që si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, e LDK-së nënkryetari i dytë, dy partitë të bëjnë rokadën midis këtyre posteve.
“Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq Nënkryetarin e Dytë VETËVENDOSJE!. Kësisoj, LDK e ka Kryeparlamentarin kurse VETËVENDOSJE! dy nënkryetarë të Kuvendit”, theksoi Kurti.
Seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër nga ora 15::00. /Gazeta Sinjali/