Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot do të qëndrojë në Berlin të Gjermanisë, ku pritet të mbahet Samiti i radhës për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kurti sot do të ketë mundësi që gjatë takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të diskutojë për propozimin franko-gjerman rreth një marrëveshjeje që synohet të arrihet shpejt në dialogut me Serbinë.
Qeveria e Kosovës i ka dërguar në formë të shkruar përshtypjet e saj edhe te presidenti francez, Emmanuel Macron, për këtë propozim, por ato nuk janë bërë ende publike.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk dha shumë detaje për propozimin franko-gjerman, por tha se “është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza”, një pjesë e madhe tash dhe një pjesë shumë e vogël të mbeten për më vonë.
“Natyrisht që është parë (propozimi). Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, ka thënë Bislimi të martën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur nëse detajet e propozimit mund të bëhen publike pas takimit të sotëm, Bislimi nuk e pohoi e as nuk e mohoi mundësinë që kjo të ndodhë.
“U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”, ka thënë Bislimi.
Ai ka insistuar të mos komentojë se çka do të ishte e pranueshme dhe çka jo për Kosovën nga përmbajtja e propozimit të Gjermanisë dhe Francës.