image Kurti: Rusia synon konflikte të reja, Kosova është e rrezikuar

Kosovë

Kurti: Rusia synon konflikte të reja, Kosova është e rrezikuar

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, Kosovën e sheh si një halë të cilën e konsideron që e pengon në projektin e vet.

Për agjencinë franceze të lajmeve AFP, Kurti ka thënë se synimi i Putinit është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, meqë Federata ruse do të synojë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar.

“Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, NATO-ja duhet të mendojë se si t’i përgjigjet Rusisë pas pushtimit dhe sulmeve të vazhdueshme mbi qytetet e Ukrainës.

Kurti ka thënë se presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës dhe se për këtë është e nevojshme lufta dhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës.

/GazetaSinjali/