image Kurti: Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, Borrell iu përshtat qëllimeve të Serbisë

Politikë

Kurti: Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, Borrell iu përshtat qëllimeve të Serbisë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në takimin e së hënës në Bruksel i është përshtatur më shumë qëllimit të Serbisë për çështjen e targave ilegale

Kurti, në hyrje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se autorët e propozimit të BE-së e braktisën propozimin e tyre prandaj sipas tij edhe përfundoi takimi.

“Sikurse në takimi e 18 gushtit, edhe në këtë takim isha i fundit që e lëshova ndërtesën e BE-së, sepse gjithmonë ekziston mundësia edhe për një përpjekje të fundit, ka qenë edhe përpjekja e fundit. Lajçak ka ardhur te dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe e bëri një përpjekje të fundit për një tekst që do ta përfshinte propozimin e BE-së, më pastaj na njoftoi që presidenti serb nuk e kishte pranuar atë”, ka thënë ai.

“Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë Borrell, ai filloi të insistonte në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti që kishte ardhur në Bruksel për targat” ka thënë Kurti.

“Te ne ekziston edhe qëllimi edhe qëndrimi edhe arsyet edhe argumentet për të arritur marrëveshjen e obligueshme por ky duhet të jetë edhe qëllimi i ndërmjetësve”, shtoi ai.

Ai ka potencuar se ftesa e Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me 4 paragrafe që mëtonte që të lëshohej si deklaratë në fund.

“Në paragrafin 1 bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE-së të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin 3 teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur marrëveshje para marsit të vitit 2023. Këtë propozim e kam mirëpritur dhe tashmë ishim deklaruar që propozimi franko-gjerman, që Borrell insistonte ta quante propozim të BE-së paraqet një bazë të mirë për diskutim”.

“Në paragrafin e 2 ishte çështja e targave që do të diskutohej. Parakushti për targat kishte të bënte me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë. Ishim të pajtimit të pezullonim fazën e dytë të vendimit atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari makina me targa ilegale. Ky propozim u pranua dhe besoj që ishte një e arritur e rëndësishme e takimit”.

Pas takimit në Bruksel, i cili gjithsej zgjati 8 orë përfaqësuesi i lartë, Borrell, sipas Kurtit fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negociimit të së hënës.

Kurti ka njoftuar se pas të njëjtës do të mbajë një konferencë për media bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

/GazetaSinjali/