Kryeministri i vendit, Albin Kurti nga Krusha e Madhe ka thënë se e ka shumë të qartë përmasën e punës që duhet kryer për të sjellë drejtësinë e munguar për 241 personat e vrarë në këtë fshat 23 vjet më parë.
Kurti iu ka thënë krushjanëve se do të kërkojnë drejtësi për këtë masakër, që është një prej më të mëdhave në luftën e Kosovës, duke filluar nga angazhimi i institucioneve të vendit.
“Cila është drejtësia që duhet të na shërbejë ne? A është ajo abstrakte, teorike, e rënë nga qielli apo e importuar? Sigurisht që jo. Dje përkujtuam ndërhyrjen e NATO-s në historinë tonë të luftës çlirimtare, në historinë tonë të vetëm dy dekadave më parë, e vetëm një ditë më vonë pati nisur masakra në Krushë të Madhe – 241 veta. Drejtësia jonë nuk ka nevojë të jetë as abstrakte e as e importuar”, tha ai.
“Për këta 241 veta kërkojmë drejtësi pikë së pari që nis nga vetë angazhimi jonë. Askush nuk ka pse të vijë e të në mësojë krimet e luftës e të gjenocidit, viktimat foshnje, gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur. Përkundrazi, ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen të harrojnë fatin e mijëra njerëzve në Kosovë për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre. Gjithkush duhet të mësojë nga sakrifica e tjetrit. Duke vënë në vend drejtësinë për viktimat dhe masakrat që janë kryer mbi njerëzit tanë ne i bëjmë nder edhe shoqërive demokratike”.
Shefi i qeverisë kosovare ka përmendur edhe gratë e Krushës duke thënë se ato tashmë janë një histori e dhimbjes e rrëfyer ndërkombëtarisht.
“Ato jetuan pavarësisht mërzitjes dhe plagëve në shpirt e në trup. Kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve, për kujdes dhe solidaritet, sidomos për kujtesë të fortë. Nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë. U detyrohemi përjetësisht, për jetë të jetëve. Kështu duhet të niste puna jonë që prej fillimit”.