Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zhvilluar një drekë pune me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se gjatë takimi duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet dy vendeve, u theksuan ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë.
Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme.
“Kosova mund të mësojë nga modeli estonez në avancimin e synimeve të saja për integrim Euro-Atlantik sikurse edhe në fuqizimin e institucioneve shtetërore nëpërmjet një reforme cilësore të administratës publike”, u shpreh kryeministri.
‘Republika e Kosovës dhe Republika e Estonisë ndajnë qëndrime të njëjta sa i përket agresionit të pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe pajtohen për nevojën për mbështetje të shtuar ndaj Ukrainës. U potencua gjithashtu nevoja për forcimin e aleancave ndërmjet shteteve demokratike dhe paqedashëse karshi atyre autokratike dhe agresive. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e ndërlidhjes së vlerave demokratike dhe evropiane me interesat ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare” thuhet mes tjerash në njoftim.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi, zëvendëskryeministrja, Emilija Redzepi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu.