Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz pas takimit që dy liderët zhvilluan sot në Berlin.
Ai tha se temë e parë e diskutuar në këtë takim ishte pushtimi rus i Ukrainës, ku në lidhje me këtë çështje Kosova ka pasur qëndrim të njëjtë me shtetet Përendimore.
“Gjermania është vend mik dhe aleat strategjik për Kosovën. Dy vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta në mundësi të mirë për të gjithë. Kemi diskutuar tema të rëndësishme për dy vendet tona mirëpo edhe për kontinentin tonë. Temë e parë ishte ajo e invazionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, të cilin Republika e Kosovës e dënon ashpër. Mbi bazën e kapaciteteve tona, jemi solidarizuar me Ukrainën, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kemi ofruar mundësinë që të strehojmë deri në 5 mijë refugjatë”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti kancelarin e ka njoftuar edhe për progresin që sipas tij ka bërë në 1 vit qeverisje si dhe rezultatin e pretenduar në zhvillim ekonomik.
“Kancelarin e njoftova edhe për progresin e Kosovës në 1 vit qeverisje, dhe rezultatin në zhvillimin e ekonomisë. Në Kosova demokracia funksionion, opozita i fiton zgjedhjet, mediat janë të lira, dhe komunitetet gëzojnë të drejta. Kemi bërë përpjekje të mëdha për sundimin e ligjit, dhe kemi pasur sukses në luftimin e kontrabandës, krimit e korrupsionit. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale mes dy vendeve tona. Rreth 400 mijë kosovarë jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe ata janë një urë e mirë pasi që ata janë të mirëintegruar dhe punëtor të zellshëm. E ftoj kancelarin që të vijë në Kosovë me një delegacion të gjerë investitorësh”, tha ai.
Kryeministri tutje shtoi se pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, teksa në këtë kontekst ai foli edhe për heqjen e vizave.
“Kosova është tregim suksesi, andaj kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë. Pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, përfshirë edhe pesë vendet e BE-së. Në korrik, bëhen katër vite prej që Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë dhe ka konstatuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Tash është koha të thuhet se mjaft është mjaft, sepse Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë. Do të aplikojmë në Këshill të Evropës dhe në partneritetin për paqe ku presim edhe përkrahjen e Gjermanisë”, tha ai.
“Për dialogun, e njoftova kancelarin se Kosova është konstruktive duke sjellë propozime. Dialogu duhet të jetë dialog me njohje reciproke në qendër. Njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund. Jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë”, tha Kurti.