Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, e cila ditë më parë nuk është certifikuar për deputete nga KQZ-ja, kur u zëvendësuan deputetët e rinj me ata që u tërhoqën për mandatet në qeveri, ka vendosur të mos rrijë duar kryq.
Kurti pretendon që ka pasur vota të mjaftueshme që të bëhet deputete, por po iu pamundësohet për shkak se një nen i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet përbrenda gjinisë.
Për këtë nen, i cili është diskriminues për Kurtin, ka kërkuar sqarime edhe nga institucionet e drejtësisë.
Ajo sot ka shkruar se është në pritje të vendimit të gjykatës për mandatin e deputetes.
“Në pritje të vendimit të gjykatës për mandatin e deputetes. Nuk mund të lejohet diskriminimi i institucionalizuar me ligj”, ka shkruar Kurti, teksa shihet në një foto pranë Gjykatës Supreme.
Kurti duket se ka edhe përkrahjen e partisë së saj që të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk do ta kisha besuar ndonjëherë që mund ta fitoj mandatin me vota e të mos e marr postin vetëm sepse jam grua. Nuk do ta kisha besuar për cilëndo punë e ironikisht po ndodhë në Kuvend të Republikës. Sot KQZ ka çertifikuar deputetët e rinj që zëvendësojnë ata që u tërhoqën për mandatet në ekzekutiv. Pavarësisht se jam me vota para dy burrave të tjerë kandidatë, sipas KQZ ata bëhen pjesë e Kuvendit e unë jo. Kjo për shkak të farë neni brenda Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që thotë se zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet përbrenda gjinisë”, kështu pati shkruar edhe ditë më parë Kurti në profilin e saj në rrjetin social.
Përndryshe, 11 deputetët e rinjë janë:
VETËVENDOSJE
Enver Haliti zëvendëson Albin Kurtin
Alban Hyseni zëvendëson Glauk Konjufcën
Arta Bajralija zëvendëson Albulena Haxhiun
Fitim Haziri zëvendëson Arben Vitinë dhe
Eman Rrahmani zëvendëson Haki Abazin
LDK
Hatim Baxhaku zëvendëson Anton Qunin
Fidan Rekaliu zëvendëson Lumir Abdixhikun
Xhavit Uka zëvendëson Avdullah Hotin
Besa Gaxherri zëvendëson Hykemete Bajramin dhe
Shkumbin Gashi zëvendëson Besian Mustafën.
NOVA DEMOKRATSKA STRANKA
Zikreta Aliti zëvendëson Emilija Redžepin./Gazeta Sinjali/