image Kurti në Gjermani: Njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund të dialogut

Politikë

Kurti në Gjermani: Njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund të dialogut

news image

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në takimin që pati me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin i ka thënë se Kosova është proaktive dhe konstruktive në dialogun me Serbinë dhe madje sjell edhe me propozime, për të cilat tha se janë në linjë me vlerat e Bashkimit Europian.

“Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke, pra jo në një njohje që vjen si fund i një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund”.

Kurti tha se Kosova është e përqendruar që të ecë shpejt dhe të ketë rezultate konkrete, si dhe të ketë bashkëpunim.

Kryeministri tha se temë bisede me kancelarin gjerman ishte edhe bashkëpunimi rajonal i Kosovës, duke shtuar se këndvështrimi i Kosovës për këtë lloj bashkëpunimi nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por përshpejtim.

“Ne e mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe e mirëpritëm përkushtimin e kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re”.

Në këtë kontekst, Kurti tha se e mbështet tregun e përbashkët rajonal, por atë që ndodhët brenda Procesit të Berlinit dhe në bazë të standardeve europiane, prandaj tha se nuk mbështesin iniciativa të tjera paralele.

Në këtë konferencë, Kurti bëri thirrje për më shumë njohje të pavarësisë së Kosovës, derisa përsëriti thirrjen për pesë vendet e Bashkimit Europian që ta ndërmarrin këtë hap dhe tha se në këtë mënyrë pamundësohet krijimi i narrative të dëmshme dhe ekuivalencave false.

/GazetaSinjali/