image Kurti: Kurrë anash apo prapa qytetarëve, bashkë, gjithnjë

Kosovë

Fitorja/ Kurti: Kurrë anash apo prapa qytetarëve, bashkë, gjithnjë

news image

Kandidati për kryeministër nga ana e VV-së që po prinë në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, u ka shkruar publikisht qytetarëve, duke i falenderuar për mbështetjen.

Sipas tij, ndryshimi ka ndodhur, derisa thotë se prej mbrëmë në Kosovë ka shpresë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai është shprehur mirënjohës ndaj qytetarëve, për mundësinë për “ta shpëtuar republikën nga zvetënimi”.

“Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë. Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm”, ka shkruar Kurti.

Rezultatin e zgjedhjeve dhe përcaktimin e qytetarëve Kurti e quan fantastike, derisa zotohet se do të punojë gjithnjë bashkë me qytetarët.

“Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike. Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë”.

“Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita! Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit”, ka shkruar Kurti.

Sipas rezultateve të fundit nga KQZ-ja, partia e Kurtit prinë, derisa në vendin e dytë radhitet LDK-ja. Ndërkaq humbje të madhe kanë pësuar PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma. Kjo e fundit me gjasë nuk do të mund ta kalojë pragun zgjedhor. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/albini2017/posts/697934434039777