image Kurti - Kovaçevskit: Nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë nënkupton pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim

Politikë

Kurti – Kovaçevskit: Nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë nënkupton pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u takuan sot në Vjenë të Austrisë atje ku po qëndrojnë për Forumin Ekonomik të Vjenës.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se përveç tjerash, ata kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“U bisedua edhe për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 21 tetorit me liderët evropianë, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij mbi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Zbatues”, njoftoi ZKM-ja.

Në margjina të Forumit Ekonomik të Vjenës, Kurti dhe Kovaçevski folën për raporte të mira ndërshtetërore dhe për “përkushtimin e dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe sfidat përgjatë këtij rrugëtimi”.

“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit si në planin bilateral ashtu edhe atë rajonal në fusha me interes të ndërsjellë, me qëllim avancimin e mëtejmë të fqinjësisë së mirë, dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve. Në këtë kontekst u diskutua edhe për sektorin e energjisë, potencialin që dy vendet kanë edhe strategjitë tyre mbi këtë sektor”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Për këtë takim Kovaçevski shkroi se me Kurtin diskutuan për bashkëpunimin që tha se është “gjithpërfshirës dhe vazhdimisht në rritje”, por edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti diskutuam bashkëpunimin tonë, i cili është gjithëpërfshirës dhe vazhdimisht në rritje. Ne u fokusuam në bashkëpunimin ekonomik dhe atë energjetik. Kemi shkëmbyer mendime edhe për situatën në rajon dhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, shkroi Kovaçevski në “X”.

/GazetaSinjali/