Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë.
Postimi i plotë:
KOSOVA APLIKON PËR ANËTARËSIM NË KËSHILLIN E EVROPËS
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam nismën për anëtarësimin e Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërkaq pak kohë më pas dorëzuam edhe aplikimin për anëtarësim.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.