image Kurti: Kosova është në rrezik për shkak të presionit rus

Politikë

Kurti: Kosova është në rrezik për shkak të presionit rus

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur rreth presionit dhe ndikimit rus tha se “Gjashtëshja Ballkanike”, veçanërisht Kosova është në rrezik.

Ai në një intervistë për gazetën turke “Milliyet”, tha se në 6 shtete të njohura si “Gjashtëshja Ballkanike” (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia), është një “luftë hibride” në të cilën aktorë të ndryshëm nën ndikimin dhe kontrollin e Moskës përpiqen të përhapin hegjemoninë ruse”.

Përveç tjerash, Kurti paralajmëroi se Beogradi dhe serbët në Bosnje mund të përdorin Kremlinin për të përhapur konfliktin në rajon, e ku edhe përsëriti kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

Paratë e BE-së, armët ruse

Duke tërhequr vëmendjen në afërsinë ushtarake të Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë, kryeministri tha: “Serbia ka më shumë se 10 vjet që kërkon paratë e BE-së dhe armët e Rusisë. Gjithashtu vazhdon të blejë pajisje ushtarake nga Rusia dhe Bjellorusia. Shpresoj që BE-ja i thotë Beogradi sa më shpejt që fondet e BE-së nuk do të jepen pa vlerat e BE- së”.

“Serbia ka ndarë 3 përqind të të ardhurave të saj kombëtare për pajisje ushtarake dhe trajnime. Ka 14 avionë luftarakë Mig-29, 8 prej të cilëve janë dhënë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Lidhjet midis Serbisë dhe Rusisë janë të gjera dhe të thella, mendoj se për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme afatgjatë, e gjithë Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen sa më shpejt në BE dhe NATO”, tha Kurti.

‘Nuk kishte situatë të cilën nuk e ka mbështetur Turqia’

“Mbështetja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për anëtarësimin e Kosovës në NATO është shumë e rëndësishme për ne dhe ne jemi mirënjohës për këtë. Ne jemi gjithashtu shumë mirënjohës për rolin e Turqisë para, gjatë dhe pas pavarësisë së Kosovës. Turqia është ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë… Në të gjitha mjediset ndërkombëtare vota e Turqisë ka qenë gjithmonë në favor të Kosovës. Në këtë aspekt, asnjëherë nuk ka pasur një situatë që Kosova të donte diçka dhe Turqia të mos e përkrahte. Do të dëshironim shumë t’i thellojmë dhe zgjerojmë marrëdhëniet tona me Turqinë”, tha Kurti.

/GazetaSinjali/