image Kurti: Kam drojën që Putin do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, Ballkani Perëndimor është i rrezikuar

Politikë

Kurti: Kam drojën që Putin do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, Ballkani Perëndimor është i rrezikuar

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman, Karl Nehammer, ka folur edhe për situatën në Ukrainë.

Ai tha se Vladimir Putin mund ta shpërndajë luftën edhe diku tjetër, pasi sipas tij, ai nuk mund të ulet në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë.

Sa i përket kësaj Kurti tha se janë “të brengosur, por jo të frikësuar”.

“Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar. Populli ynë është bashkë dhe aleanca jonë me BE-në, SHBA-në e NATO-n është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që Putin dëshiron të ulet në tryezën e negociatave, jo me Zelenskyn, por me Bidenin”.

“Për këtë qëllim të tij, unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë. Ballkani Perëndimor është në rrezik, meqenëse edhe këtu veçse po bëhet lufta hibride. Sputniku e ka qendrën në Beograd ndërsa në Nish ndodhet Qendra Humanitare ruse e cila është mbushur me plotë agjentë rusë”

“Ne e kemi dënuar invazionin rus dhe agresionin ushtarak që nga dita e parë kur ai ka ndodhur dhe kemi shprehur admirimin dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe me luftën çlirimtare që po e bëjnë burrat dhe gratë aty, në krye me presidentin Zelensky”.

“Nuk ka dyshim që autokracia e cila zhvillonte luftë hibride e udhëhequr nga Kremlini, është shndërruar në despotizëm që bën luftë duke e shkelur çdo normë ndërkombëtare e njerëzore. Në të njëjtën kohë, pa qenë e provokuar dhe në mënyrë të pajustifikueshme sulmon një komb dhe një shtet tjetër. Ne jemi shokuar nga pamjet në Ukrainë sepse na kujtojnë vuajtjen tonë para 23 – 24 vitesh, kur poashtu për çdo ditë në Kosovë kishim masakra nga policia dhe ushtria e Millosheviqit”.

“Në të kaluarën presidenti despotik, Putin na ka përmendur një herë në muaj si Kosovë. Tash po na përmend nga disa herë në javë, duke tërhequr paralele fallse me Krimenë në Ukrainë”, tha Kurti.

/GazetaSinjali/