Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media i është kundërpërgjigjur ministrit të brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili tha se ‘për ta ndezur luftën duhet vetëm një budalla, ai ndodhet në Prishtinë’, transmeton Gazeta Sinjali.
Kurti potencoi se ai ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit dhe sipas tij Vulin i përket atyre zyrtarëve që Millosheviqin e konsideronte si jo të mjaftueshëm radikal.
“Së pari fluturaket serbe duket që janë përgjigje edhe ndaj deklaratës së Escobar që tha se nuk bën të militarizohet situata dhe ata filluan që të përdorin avionë ushtarakë. Pra këtu thua se nuk e kanë veç me neve, ndërkaq së dyti, Vulin mjafton të thuhet për të se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit që aso kohe është quajtur Jul dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që e konsideronte që Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal. Pra besoj që kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe çka thotë kur thotë atë që ju e parafrazuat”, tha Kurti.