image Kurti flet për përplasjen me Vuçiq: Ai ishte i nervozuar

Kosovë

Dialogu/ Kurti flet për përplasjen me Vuçiq: Ai ishte i nervozuar

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, ka folur për përplasjen e tij me Vuçiq.

Kurti ka theksuar se duhet të respektohen rregullat e konferencës dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë diskutimit është shprehur i tensionuar dhe me nervozizëm.

“Kjo konferencë në përgjithësi ishte me rregulla dhe unë duhet t’i respektoj ato.  Mirëpo, ai ndjeu një trysni të madhe meqë kishte edhe media serbe aty prandaj edhe u shpreh ashtu me nervoz, ndërsa sa i përket qëndrimeve të mija janë të njohura se nuk jam kundër dialogut, dua dialog të përgaditur mirë me parime”, ka thënë Kurti në një intervistë për DW.

Kurti është pyetur edhe për kohën se kur duhet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi, ku ka thënë se dëshiron një dialog që i shpie në një marrëveshje dhe jo një dialog që mund të sabotohet as nga brenda dhe as nga jashtë.

“Tash ne kemi legjitimitetin e freskët, mirëpo kjo nuk mund të thuhet edhe për pushtetin në Serbi, atje si duket në fund të prillit do të jenë zgjedhjet, mbase kur t’i përfundojnë edhe ata zgjedhjet. Pastaj edhe ne do t’i shqyrtojmë marrëveshjet e deritanishme, pastaj ta diskutojmë me Brukselin, Berlinin, Parisin dhe Washingtonin për një kornizë që na bën marrëveshjen e drejtë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti gjithashtu ka thënë se është mirë që marrëveshja të ndodhë sa më e shpejtë, por që sipas tij, prioritet është përmbajtja e marrëveshjes.

“Reciprociteti është parim i marrëdhënieve bilaterale, ne do ta heqim taksën 100 për qind, kemi treguar vullnet për këtë gjë, por posa ta vendosim parimin e reciprocitetit”, ka thënë Kurti./Gazeta Sinjali/