Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash.
Në ceremoninë e Themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare, Kurti ka thënë se kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe duke ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat.
Sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120%, nga 7 milionë në vitin 2020, 15.4 milionë në vitin 2022, ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar ishin dyfish më shumë sesa vitin 2021.
“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash; nga zhvillimi ekonomik e deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit, bashkë me 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shënuam edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve”.
“Kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe duke ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat. Ekspertët austriakë ndër vite, kanë ofruar mbështetje duke ndihmuar në forcimin e institucioneve tona dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Sigurisht, Austria ka qenë një avokate e fortë për Kosovën në skenën ndërkombëtare, duke punuar për të promovuar interesat tona dhe për të mbështetur përpjekjet tona për t’u integruar në Bashkimin Evropian”.
Sipas Kurtit, Austria ishte ndër shtetet e para që mirëpriti dhe mbështeti aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër shtetet që me votë dëshmoi mbështetjen e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona kanë vazhduar trend pozitiv. Vetëm në dy vitet e fundit (2020-2022), eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120% (7 milionë në 2020, 15.4 milionë në vitin 2022), ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar (2022) ishin dyfish më shumë sesa vitin pararendës (2021)”, përfundoi ai./EO