image 'Kurti e “shkarkoi” Latifin'/ Haxhiu flet për Sinjalin, thotë se MSH-ja udhëhiqet nga grupe nepotiste

Politikë

‘Kurti e “shkarkoi” Latifin’/ Haxhiu flet për Sinjalin, thotë se MSH-ja udhëhiqet nga grupe nepotiste

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu thotë se Rifat Latifi ka qenë ministër statik i Ministrisë së Shëndetësisë.

Haxhiu në një deklaratë për Gazetën Sinjali u shpreh se largimi i Latifit nga MSH-ja është bërë që në momentin kur kryeministri Albin Kurti ka marrë në drejtim Komisionin për Shëndetësi.

“Prej se ka ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi ka qenë vetëm emër, askush s’ka pritur asgjë nga ai. Dhe në muajin e fundit prej se Kurti ka emëruar veten kryetar te Komisionit për Shëndetësi, ka lënë të kuptohet se Latifi as nuk është më ministër i MSH-së”, u shpreh ai.

Sipas Haxhiut, MSH-ja është duke u udhëhequr nga “grupe partiake nepotiste e grupe të interesit”.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë për Sinjalin se performanca e dobët në menaxhimin e ministrisë së Shëndetësisë ka ndikuar që Latifi të japë dorëheqje nga pozita e ministrit në këtë dikaster.

“Performanca e tij e dobët ka rezultuar me dorëheqjen e tij. Në asnjërën prej segmenteve të shëndetësisë nuk ka dhënë performancë pozitive”, u shpreh Dreshaj.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se për një vit e gjysmë të ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti ll, janë ndërruar 3 ministra të MSH-së.

“Një vit e gjysmë qeveri, në pritje të ministrit të 3-të në shëndetësi. Vetëm 5% investime kapitale të realizuara sivjet Fajet? 20 vjet? Paaftësi e papërgjegjësi!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë reagimi edhe nga sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi i cili ka deklaruar se Latifi ishte “viktimë e logjikës instrumentalizuese të (kryeministrit) Kurti”.

“Ironikisht Ministrat e Shendetesise jane viktima te logjikes instrumentale te Kurtit. Dikur Arben Vitia e tash Rifat Latifi deshtuan dhe u dogjën për Kurtin dhe nga Kurti! Kjo nukk i shfajson keta dy, por ia rrite edhe me shume fajin Kryeministrit!”, ka shkruar Nushi.

Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë dha dorëheqje ditën e sotme pas më pak se njëmbëdhjetë muajsh në krye të këtij dikasteri.

Që nga ardhja e Latifit në këtë pozitë, ai është ballafaquar me kritika për shkak të udhëtimeve të tij të shumta nëpër vende të ndryshme të botës.

Këto vizita, deputetët e opozitës i kanë quajtur “ekskursione” për çka Latifi është kritikuar vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës.

Latifi u emërua ministër në nëntorin e vitit të kaluar, pasi Arben Vitia u largua nga ky post, për të garuar për kryetar të Prishtinës.

Ministri i Shëndetësisë është kirurg që ka vepruar për shumë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/GazetaSinjali/