image Kurti dhe kryeministrja serbe nuk e kundërshtuan fare njëri-tjetrin në Samitin e Londrës

Kosovë

Deklaratat/ Kurti dhe kryeministrja serbe nuk e kundërshtuan fare njëri-tjetrin në Samitin e Londrës

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq janë ulur afër njëri-tjetrit sot në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt në Londër nën organizimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vendet e tyre në panel ishin përcaktuar në mënyrë alfabetike.

Ndonëse përfaqësuan dy shtete armiqësore, Kurti dhe Bërnabiq nuk e kundërshtuan njëri-tjetrin në fjalimet e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti theksoi idenë e tij për zëvendësimin e taksës me parimin e reciprocitetit me Serbinë, duke e arsyetuar.

“Ne duam t’i zëvendësojmë tarifat me parimin e reciprocitetit. Nuk është një akt indinjimi ose hakmarrjeje. Ne ndjehemi të diskriminuar dhe duam barazi”, tha Kurti, duke shtuar se “Kosova dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i kërkoi Kurtit që ta heqë taksën, derisa nuk e kundërshtoi idenë e kryeministrit kosovar për reciprocitet.

“Fatkeqësisht, ne kemi tarifën 100% të vendosur nga Prishtina për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Shpresoj që Albin Kurti do ta konsiderojë këtë, sepse duhet të mendojmë se si ta lehtësojmë tregtinë midis nesh dhe si të krijojmë një mjedis të favorshëm biznesi”, tha Bërnabiq.

Heqja e taksës është përmendur nga Kurti si veprim që duhet bërë, por se po vlerësohet vendosja e reciprocitetit paraprakisht.

Në këtë samit të mbajtur në Londër, pjesmarrës ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Dushko Markoviq i Malit të Zi, Oliver Spaskovski i Maqedonisë dhe kryetari i Këshillit të Ministrave i Bosnjes, Zoran Tegelti. /Gazeta Sinjali/