Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për takimin e sotëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, i cili u zhvillua pas tensioneve në veri që u shkaktuan nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.
Kurti tha se ky vendim është reciprocitet e jo provokim, e as diskriminim.
Sipas tij, targat duhet të hiqen nga të dyja palët, ose duhet të mbahen nga të dy shtetet.
“Ky nuk është një provokim, e as diskriminues. Në këtë masë reciproke, ose Kosova dhe Serbia kanë të drejtë ose të dy gabojnë. Ose ne i mbajmë të dy llojet e targave, ose ato do të hiqen krejt. Liria e lëvizjes është një e drejtë që nuk duhet dhe nuk do të shkelet nga Republika e Kosovës”, shkroi ai.
I pari i ekzekutivit kosovar tha se i ka informuar ambasadorët e QUINT-it se pas vendimit nuk është shënuar asnjë incident dhe se zyrtarët policorë janë në veri, për të mbajtur rendin e qetësisë.
“Sot, me ministrin Sveçla takuam ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, lidhur me vendimin e djeshëm për targat e automjeteve që hyjnë në Kosovë. I informova se asnjë incident nuk ka ndodhur dhe se policia janë aty për të mbajtur rendin dhe qetësinë”, shkroi ai./Gazeta Sinjali/