Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur për BBC Radio në një intervistë ku i është përgjigjur edhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili e përmendi Kosovën në rastin e pushtimit të Ukrainës.
Kurti tha se Putini dëshrion t’i justifikojë aspiratat e tij hegjemoniste, duke e përmendur Kosovës çdo herë e më shpesh. Kurti tha se në Kremlin “dëshirojnë ta keqinterpretojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë”.
“Kremlini e përmendte Kosovën një herë në muaj, ndërsa tani po na përmend disa herë në javë, çdo të dytën ditë, dhe unë besoj që ata dëshirojnë ta keqinterpretojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, që ishte për ta ndaluar gjenocidin, si përpjekje për ta justifikuar imperializmin e tyre, aspiratat e tyre hegjemoniste dhe së fundi pushtimin dhe agresionin e tyre ushtarak kundër Ukrainës. Ne që nga fillimi kemi shprehur admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas dhe kemi dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që ka qenë e paprovokuar dhe është absolutisht i pajustifikueshëm”, tha ai.
Kurti u ndal të flasë edhe për lidhjet e ngushta politike, ekonomike e ushtarake të Rusisë me Serbinë, duke thënë se Serbia shpenzon pothuajse 3% të BPV-së.
“Për shembull Gazprom-i zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi. 151 deputetë të parlamentit të Serbisë, mbi 60%, janë pjesë e grupit të miqësisë Rusi-Serbi, dhe gjithashtu Serbia ka 14 avionë luftarakë MIG-29 nga të cilët 8 janë donacione nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Serbia shpenzon pothuajse 3% të BPV-së në ushtri dhe kjo i bie dy herë më shumë se pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Pra ekziston një militarizim i Serbisë, e cila nuk e njeh Kosovën dhe e cila përmes Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë po përpiqet ta bëjë atë vend jofunksional, ta kthejë atë në një shtet të dështuar dhe në fund ta marrë atë në kontrollin e saj”, deklaroi Kurti.
Kryeministri u pyet edhe për akuzat se Kosova po dërgon luftëtarë në Ukrainë për të luftuar kundër forcave ruse. Tha se Ballkani Perëndimor është në rrezik.
“Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar për të luftuar në Ukrainë. Ata po thonë lloj-lloj dezinformatash dhe pretendimesh të rreme sepse kjo është pjesë e luftës së tyre hibride. Pra, lufta hibride është plot gënjeshtra, plot narrativa të rreme dhe lufta hibride kthehet në luftë. E kemi parë me Ukrainën. Lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, është vetëm faza përgatitore e saj, dhe ne duhet të shqetësohemi shumë për të gjitha këto akuza të rreme, sepse janë shenja paralajmëruese për atë që do të ndodhë më pas”, tha Kurti.
“Më lejoni t’ju rikujtoj se Presidenti Putin u bë Kryeministër i Federatës Ruse vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe gjithashtu disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, ai aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Pra, Ballkani Perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Beogradit nga Kremlini”, shtoi ai.