image Kurti: Arabia Saudite dha kontribut në Pavarësinë e Kosovës

Politikë

Kurti: Arabia Saudite dha kontribut në Pavarësinë e Kosovës

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Kosovë, Faisal Ghazi Hafizi.

Ai i uroi ambasadorit mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e tij të re.

“Kontributi dhe roli i Arabisë Saudite për pavarësinë e vendit sikurse dhe ndihma socio-ekonomike dhe mbështetja e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi se Kosova dhe Arabia Saudite janë miq dhe partnerë me lidhje të shumta dhe të mira”, tha gjatë takimit kryeministri Kurti, njofton ZKM-ja.

Kryeministri e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen që ajo i kishte dhënë Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në 2011 konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.

Ambasadori Hafizi e falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen dhe ia përcolli kryeministrit Kurti përshëndetjet nga mbreti dhe familja mbretërore e Arabisë Saudite.

“U shpreh se vendet dhe popujt tonë kanë lidhje vëllazërore, kulturore dhe fetare, dhe tha se do të punojë në konsolidimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona”, shkruhet në njoftimin e ZKM-së.

/Gazeta Sinjali/