Deri të martën, nesër më 26 janar, do të duhet të marrin epilog ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan Gazeta Sinjali.
Nëntë apele nga subjekte politike e kandidatë, u dorëzuan më 23 janar, pas moscertifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e 22 janarit, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
VV, AAK dhe NISMA, janë partitë që janë ankuar në PZAP.
Por, ky institucion i pavarur mund të vendos edhe më herët në apelet që janë dorëzuar brenda afatit ligjor.
Bazuar në ligjin në fuqi, PZAP-ja përbëhet nga dhjetë anëtarë, përfshirë kryesuesin, i cili vjen nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe anëtarët e tjerë që vijnë nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave Themelore të Kosovës.
PZAP-ja mund të mblidhet në seanca të ndara me nga së paku tre anëtarë, por për çështje të rëndësisë së veçantë, kryesuesi i PZAP-së mund të krijojë një panel që do të përbëhej nga nëntë anëtarë të këtij institucioni. Aty, vendimet merren me shumicë votash.
Në ligj është e specifikuar qartë se vendimet e PZAP-së janë të detyrueshme për KQZ-në.
Aktualisht, kryesues i PZAP-së është Shukri Sylejmani.