13 ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa me Serbinë, gjendja në veriun e vendit është kthyer në normalitet. Kjo sepse sot është zbatuar pika e parë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Pika e parë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, parashihte që nga ora 8:00 e mëngjesit të 2 tetorit, të fillojë largimi i barrikadave nga rrugët që të dërgojnë në dy pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, vendosjen e KFOR-it në pozicionet e njësiteve speciale të Kosovës dhe tërheqjen e këtyre të fundit.
Ndërkaq, si pjesë e marrëveshjes janë edhe dy pika tjera që pritet të hyjnë në fuqi në tetor. Njëra prej tyre do të filloj zbatimin nga e hëna e 4 tetorit, kurse tjetra nga 21 tetori.
Pikat tjera që do zbatohen nga marrëveshja e arritur në Bruksel:
Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.