Më 10 qershor, ministri në largim i Insfrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, nënshkroi një kontratë për ta nisur zgjerimin e segmentit në hyrje të Prishtinës, bashkë me urën që i lidhte rrugët nacionale.
Nënshkrimi i Lekajt s’i vuri në punë menjëherë ekskavatorët e një kompanie nga Ferizaj, që 1 muaj më vonë e shembën urën në “Veternik”, si nisje për shndërrimin e saj në një nyje gjigante në hyrje të kryeqytetit, projekt ky 2.5 milionë eurosh që ende nuk është afër të realizohet, shkruan Gazeta Sinjali.
Megjithatë, Lekaj beson se punimet do të përfundojnë me kohë, ndonëse kanë mbetur vetëm rreth 50 ditë pune që, siç parashihej me kontratë, të realizohej projekti përfundimisht.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, ai është shprehur i bindur se punimet do të kryhen në kohën e paraparë.
“Punimet kanë filluar më 10 korrik 2019 dhe me kontratë parashihen 155 ditë pune. Projekti do të kryhet sipas kontrantës”, ka thënë Lekaj.
Nëse është për t’i zënë besë ministrit në largim, kjo nyje gjigante në hyrje të Prishtinës që i lidhë rrugët nacionale me autostradën “Ibrahim Rugova”, do të realizohet në fillim të janarit 2020.
Në ditën kur ekskavatorët dolën për ta nisur punën, Lekaj rikujtoi se projekti nuk është i ri, por se u zvarrit, duke thënë se do ta monitorojnë për së afërmi punën që do të duhej të kryhej me kohë.
Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale, bashkë me urën për kyçje në autostradën “Ibrahim Rugova” në lagjen “Veternik” të kryeqytetit, kanë bërë që të krijohen kolona të gjata, e të shpeshtohen aksidentet.
Gjatë verës, qytetarët të cilët donin të dilnin nga Prishtina përmes kësaj rruge, përballeshin me mbi një orë pritje.
Më 18 prill 2017 kishte nisur zgjerimi i rrugës Prishtinë – Veternik. Këto punime kanë zgjatur me vite, edhe pse Lekaj premtonte se ato do të përfundonin për pak kohë.
Projekti i stërzgjatur për zgjerimin e rrugës me katër korsi në lagjen “Veternik”, hedh dyshim të madh mbi parashikimin e përfundimit me kohë të projektit për nyjen gjigante në hyrje të Prishtinës. /Gazeta Sinjali/