image Kryeziu: Kushtetuesja nuk ia ndaloi Kurtit të jetë pjesë e zgjedhjeve

Kosovë

Kryeziu: Kushtetuesja nuk ia ndaloi Kurtit të jetë pjesë e zgjedhjeve

news image

Derisa vet kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk është deklaruar nëse do t’i futet garës për deputet, zëra të kësaj partie e pohojnë këtë.

Zëdhënësi për media i VV-së, Përparim Kryeziu, thotë se aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka shqyrtuar si objekt Kurtin për dënimin e tij, por vetëm të Etem Arifit.

Madje, sipas Kryeziut, ai s’ka ndalesë për të qenë pjesë e listës dhe garës zgjedhore.

“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një rast dhe çështje specifike. Kemi kërkuar mendimin e saj për pretendimin tonë se Qeveria Hoti është e jashtëligjshme duke qenë se ajo ishte formuar me votën e z.Etem Arifi, i cili, sipas nesh, nuk kishte mandat deputeti sepse paraprakisht ishte i dënuar për një vepër penale me burgim për më shumë se një (1) vit. Gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë. Ajo e ka konfirmuar pretendimin tonë, duke thënë se z.Etem Arifi nuk kishte mandat të deputetit sepse ishte i dënuar me burgim, prandaj edhe qeveria, me votën të cilit ishte formuar, është e jashtëligjshme. Nga ky moment, e ka bërë të qartë se tash e tutje një individ i dënuar me burgim për më shumë se një (1) vjet në tre (3) vjetët e fundit, nuk mund të jetë deputet. Kaq! Pra, përpos shpalljes së Qeverisë si jokushtetuese, ky ka qenë rezultati tjetër nga objekti i shqyrtimit që e ka pasur Gjykata Kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit. Për më tepër ata nuk janë të dënuar me burgim. Prandaj, në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës dhe garës zgjedhore. Shihemi më 14 shkurt, në referendum, për qeverisje të mirë, me Albin Kurtin kryeministër”, shkruan Kryeziu në Facebook.

Nga kjo parti më herët u deklaruan se Kurti do të jetë kandidat për kryeministër.

/GazetaSinjali/

Kurti do t’i prijë listës së VV-së në zgjedhje, do të ketë bashkëpunim me Osmanin