image Kryetari i KQZ-së thotë se në takimin me Osmanin u fol edhe për shtyrjen e zgjedhjeve

Politikë

Kryetari i KQZ-së thotë se në takimin me Osmanin u fol edhe për shtyrjen e zgjedhjeve

news image

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se në takimin me Presidenten Vjosa Osmani, që është mbajtur para një jave, është hapur edhe çështja e shtyrjes dhe zvogëlimi të fushatës zgjedhore.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryetari Radoniqi është pyetur nga Florian Dushi i LDK-së dhe Arianit Elshani i PDK-së, se çfarë është diskutuar në takimin që ai ka pasur me Presidenten Osmani.

Ai ka thënë që është ngritur çështja e shtyerjes apo zvogëlimit të fushatës zgjedhore.

“Është ngritur edhe çështja e shtyrjes apo zvogëlimit të fushatës zgjedhore por në këtë çështje unë personalisht nuk kam dhënë mendim, as nuk jam marrë me këtë çështje. Çështja e fushatës, edhe mediat që më kanë pyetur, gjithnjë kam thënë se nuk kemi kërkesë për me e shkurtua fushatën dhe është çështje ligjore kohëzgjatja e fushatës”

Radoniqi ka thënë që shtyerja e zgjedhjeve nuk është kompetencë e tij dhe as e KQZ-së.

Sa i përket shtyrjes së datës së zgjedhjeve, ajo absolutisht nuk është s’është as në kompetencë timen, as të KQZ-së, as nuk e parasheh diku Ligji këtë çështje, unë nuk kam diskutua. E di që ndoshta e keni këtë çështje nën interesim, por sa më përket mua, unë nuk e kam diskutuar këtë çështje, është ngritur çështja, por nuk kam jep as mendim as nuk kam interes me jep mendim për këtë…”, ka deklaruar Radoniqi.

Takimi i Radoniqit me Presidenten Osmani është mbajtur më 6 shtator. Për këtë takim ka njoftuar edhe Presidenca.

“Kryetari i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani për përgatitjet, të cilat i ka bërë KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale. Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e sigurimit dhe ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor,  lehtësimit të pjesëmarrjes sa më të madhe të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, por mbi të gjitha rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Ndërkaq kryetari Radoniqi tha se do të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përbrenda kompetencave të KQZ-së”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Ndërsa, nga ora 17:00 ka filluar takimi i presidentes Osmani me të gjitha partitë politike për të diskutuar mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve.

/GazetaSinjali/