Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, ku ky i fundit ka bërë të ditur se për çfarë kanë diskutuan.
Ai në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ka shkruar se me Osmanin kanë folur për atë se si Kanadaja dhe Kosova mund t’i avancojnë vlerat e përbashkëta.
“Më vjen mirë që u takuam sot, Vjosa Osmani, dhe folëm për atë se si Kanadaja dhe Kosova mund t’i avancojnë vlerat tona të përbashkëta. Qoftë për promovim të demokracisë, përkrahje të barazisë gjinore, marrje të masave klimatike apo mbrojtje të të drejtave të njeriut, të vazhdojmë të bëjmë progres së bashku”, ka shkruar kryeministri i Kanadasë.
Ndërkohë, nga Presidenca bëhet e ditur se ata diskutuan për kapituj të ri të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe për themelimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Kryeministri i Kanadasë theksoi se qëndrimi i vendosur i Presidentes për demokracinë dhe kundër korrupsionit, pikëpamjet progresive qoftë për mjedisin apo për fuqizimin e grave, janë fusha në të cilat Kanada pret të punojë me Kosovën.
Presidentja Osmani ka potencuar shumë fusha në të cilat mund të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes e diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Trudeau për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës në periudha të ndryshme kohore. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani i ka vlerësuar si të shkëlqyeshme marrëdhëniet me Kanadanë dhe ka përmendur se në këtë frymë gjatë kësaj vizite ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.
Presidentja Osmani mori mbështetjen e kryeministrin kanadez për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për procesin e njohjeve, duke theksuar se synimi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë forcimin e rendit dhe ligjit, por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.
Duke folur për gjendjen aktuale në rajon, Presidentja Osmani ka theksuar se diskursi nxitës nga Serbia i mbështetur edhe nga shtrirja e ndikimit rus në rajon, paraqesin rrezik potencial për destabilizim të rajonit dhe janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike./GazetaSinjali/